Programi i fushatës

Shtyllat e programit

  • Statusi i Minatorit
  • Problemet lokale (rrugë, pyje, lumenj)
  • Të drejtat e punëtorëve
  • Të drejtat shoqërore

Statusi i Minatorit

Kërkesa e vazhdueshme dhjetëra-vjeçare e minatorëve ka qenë dhe vazhdon të ngelet miratimi i Statusit të Minatorit, si parakushti që profesioni i minatorit të fitojë dinjitetin e munguar. Statusi do të sigurojë:

  • Paga më të larta për profesionin më të rrezikshëm sot në Shqipëri. Ne kërkojmë që paga minimale e minatorëve të mos jetë më e ulët se 235% e pagës minimale zyrtare, pagën për vështirësi dhe vjetërsi në punë dhe pagën e 13-të;
  • Kujdesin shëndetësor për minatorët, ku do përfshihet kontroll i plotë shëndetësor të paktën 2 herë në vit, kurim falas për sëmundjet profesionale dhe 100% rimbursim i barnave;
  • Sigurimin e jetës për minatorëtku në rast aksidentesh me pasojë vdekjen familjarët do të dëmshpërblehen me 6 milionë lekë (të reja), bursa studimi universitar për fëmijët, si dhe në rast gjymtymesh do të ketë dëmshpërblim për pasojat fizike të shkaktuara;
  • Përfitime nga dalja në pension me moshën e daljes që ulet në 53-55 vjeç dhe përfitimi i pensionit të plotë që në momentin e daljes në pension jo më i ulët se 135% e pagës minimale zyrtare, duke përfshirë edhe trajtimin financiar suplementar.

Problemet lokale (rrugë, pyje, lumenj)

Dibra është ndër qarqet më të varfra në Shqipëri, rrjedhimisht përballet me më shumë problematika për të cilat partitë e vjetra të pushtetit qendror e lokal kanë heshtur për 30 vjet. Eltoni do të ngrejë në Kuvend ato probleme për të cilat s’guxojnë të flasin të tjerët:

  • Për rrënimin e infrastrukturës rrugore: shumica e fshatrave të katër bashkive të Dibrës  përballen me rrugë vështirësisht të kalueshme nga automjetet apo të bllokuara nga dëbora në muajt e dimrit. Të izoluar e të lënë në mëshirë të fatit, në shumë raste banorët lokalë përveshin mëngët për të mbuluar gropat apo për të çarë dëborën në mënyrë që njerëzit e afërm t’i drejtohen qendrave mjekësore. Qeveria propagandon pa rreshtur hapjen e Rrugës së Arbrit, por njerëzit gjenden të bllokuar edhe pse pak kilometra larg qendrave urbane. Edhe vetë rrugët nacionale janë të amortizuara dhe përbëjnë burim të vazhdueshëm aksidentesh. Qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për shtrimin dhe mirëmbajtjen e domosdoshme të rrugëve rurale dhe urbane.
  • Për problemet e bujqve dhe të blegtorëve: përveçse mungojnë subvencionet shtetërore për këto zanate, ata përballen me shterimin e burimeve ujore për vaditjen e të mbjellave duke sjellë shpopullimin gradual të fshatrave. Toka të cilat më parë jepnin dy herë prodhim në vit, tanimë janë kthyer në djerrë. Fshatarët përballen me vështirësinë e nxjerrjes së produktit bujqësor në treg dhe me mungesën e baxhove për shitjen e produkteve blegtorale. Dibra ka nevojë për hartimin e politikave në mbrojtje të produktit vendas dhe në lehtësimin e nxjerrjes së tij në treg.
  • Për shkatërrimin e resurseve natyrore: prerja pa kriter e pyjeve në Koçaj, Dushaj, Kokërdhak e Valikardhë të Fushë-Bulqizës zgjoi zemëratën dhe solli reagimin e banorëve, të cilët të bashkuar ia dolën të shporrin spekulantët që shkatërrojnë natyrën me bekimin e politikanëve. Nga ana tjetër ata përballen me devijimin e burimeve ujore nga hidrocentralet (HEC) e ndërtuara duke ngelur pa ujë të pijshëm (HEC-i që do ndërtohet në Skavicë pritet të sjellë pasoja të rënda), ose më keq akoma me helmimin e dhjetëra njerëzve për shkak të përzierjes së ujërave të zeza me ujin e pijshëm. Qyteti i Bulqizës dhe fshatrat përreth janë të rrethuar nga burime të shumta ujore, por ende uji nëpër shtëpi vjen me orar. Zgjidhja vjen përmes përcaktimit të zonave të mbrojtura të pyjeve, kullotave dhe burimeve ujore që janë jetësore për komunitetin, si dhe me përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit.

Të drejtat e punëtorëve

Minierat ngelen varre të hapura që gllabërojnë jetë njerëzish, prandaj beteja sindikale nisi në Bulqizë – me themelimin e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës – për t’u shtrirë gradualisht në mbarë vendin.

Në Bulqizë, Krastë e Martanesh minatorët punojnë në kushte të mjerueshme e nuk paguhen prej muajsh. Aksidentet e përditshme brenda galerive nuk bëhen kurrë publike, ndërsa makabriteti arrin deri aty sa edhe për të vdekurit sajohen skenarë të ndryshëm nga realiteti. Kush guxon të ngrejë zërin pushohet menjëherë nga puna jo vetëm për shkak se deri vonë nuk ka pasur sindikata të vërteta, por edhe se shteti është palë me pronarët.

Me situata të vështira përballen edhe qindra mijëra punëtorë që punojnë në sektorë të tjerë në mbarë vendin. Zëri i Eltonit në parlament do jetë zëri i vazhdueshëm i sindikalistit të palodhur që flet edhe për naftëtarët, edhe për punëtorët e fasonerisë e të ndërtimit, edhe për çdo punëtor tjetër që shfrytëzohet e keqpaguhet në punë. Nga foltorja e parlamentit Eltoni do të kërkojë:

  • Garantimin e të drejtës së organizimit sindikal dhe nxitjen e përfshirjes së punëtorëve në themelimin e organizmave të reja sindikale përmes lehtësimit të procedurave ligjore;
  • Njohjen e Statusit të Minatorit dhe përmirësimin e Statusit të Naftëtarit, si dhe njohjen si profesione që kanë vështirësi të posaçme e kategorive të tjera të punëtorëve, si p.sh. e atyre të call center-it, metalurgëve etj.;
  • Rritjen e përvitshme të pagës minimale deri në mesataren e vendeve evropiane
  • Njohjen e kontributeve dhe përfitimin e pensionit të plotë për gratë që punojnë në seleksionimin e kromit, pasi nuk kanë mundësi të tjera punësimi;
  • Kontrata të rregullta pune – individuale dhe kolektive – për çdo punëtor;
  • Mbrojtjen e vendeve të punës për punëtorët kur kompanitë shpallin falimentin;
  • Njohjen e vjetërsisë dhe vështirësisë në punë si kriter i rritjes së pagës së punëtorit si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat;
  • Rritjen e pagave për punonjësit e sektorit publik dhe sigurimin e pozicionit të punës nga ndërhyrjet partiake;
  • Sigurimin e së drejtës për t’u riintegruar në vendin e punës si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat pas heqjes së padrejtë nga puna;
  • Zhdukja e dallimit në paga për të njëjtën punë mes grave dhe burrave.
  • Nxitjen e politikave të punësimit të plotë, ku asnjë qytetar i aftë për punë të mos mbetet pa punë.

Të drejtat shoqërore

Qarku i Dibrës është nga më të varfrit në vend, ndonëse ka burime minerare e natyrore të mëdha, si dhe një popullsi punëtore të re. Varfëria po shtyn gjithnjë e më shumë të rinj ta braktisin vendlindjen.

Shërbimet shoqërore bazike, si shëndetësia dhe arsimi, janë edhe më të rrënuara se në zona të tjera të vendit. Të braktisur prej dekadash të tëra nga politikanë që mashtrojnë dhe vjedhin, këto të mira bazike kanë degraduar vit pas viti.

Për 32,000 banorë që jetojnë në Bulqizë nevojiten të paktën 13 mjekë, por vetëm 6 prej tyre punojnë aktualisht, teksa për tre njësi administrative (Ostren, Gjoricë, Trebisht) shërbimin shëndetësor e ofron një mjek i vetëm. Po ashtu, kujdesi shëndetësor në Martanesh për 2500 banorë, ku rreth 1300 vetë punojnë në miniera, ofrohet në një dhomë të vetme. Dikur, në spitalin rajonal të zonës – që tashmë është kthyer në gërmadhë – punonin gjashtë mjekë që kujdeseshin për një popullsi prej 13,000 banorësh.

Kushtet e arsimimit për fëmijët që jetojnë nëpër fshatra nuk janë më pak të vështira. Fëmijëve u mungon infrastruktura e nevojshme për të ndjekur shkollimin: në fshatin Plan i Bardhë atyre u duhet të përshkojnë 7 kilometra për të shkuar në shkollën më të afërt në Kloskatund, kurse në fshatin Brezhdan fëmijëve u duhet të kalojnë mbi urën e shembur për të shkuar në shkollë.

Kush më parë i ka ngritur në parlament të tilla çështje për qarkun e Dibrës?! Sa herë është folur për shëndetësi e arsim?! Nga foltorja e parlamentit Eltoni do të kërkojë:

  • Miratimin e ligjit të minimumit jetik të bazuar në një llogaritje të drejtë të nevojave shoqërore.
  • Rritjen e përqindjes së rentës minerare që i kalon pushtetit lokal nga 5% në të paktën 8%, në mënyrë që këto të ardhura të shkojnë në shëndetësi dhe arsim;
  • Përmirësimin e kushteve të qendrave shëndetësore për plotësimin e nevojave imediate;
  • Shtimin e numrit të mjekëve, dhe nxitjen e mjekëve të rinj që të krijojnë eksperiencë në qarqe si Dibra ku ka mungesë të stafit mjekësor;
  • Ndërtimin e qendrave të reja shëndetësore;
  • Sigurimin e mjeteve të transportit për të gjithë fëmijët nga fshati në shkollën më të afërt;
  • Sigurimin e librave dhe mjeteve të tjera të nevojshme për familjet në vështirësi ekonomike;
  • Përmirësimin e infrastrukturës arsimore.

ELTON DEBRESHI, PËRPJEKJE E PËRBASHKËT

VOTO NR. 13!

International

Biography Program Donate

Na kontakto

Email: eltondebreshi.zyraelektorale@gmail.com

Telefon: 0685670710

Facebook

Instagram

Copyright © Elton Debreshi 2020. Powered by Aktivistët.