Kush është Elton Debreshi

Elton Debreshi është një djalë i lindur dhe i rritur në fshatin Kodra e Danit në Bulqizë. Prej moshës 14-vjeçare, kushtet e vështira ekonomike e detyruan të lërë shkollën për të ikur në emigrim. Pas dy viteve të vështira larg familjes, Eltoni u rikthye në Bulqizë dhe filloi punën në minierë, në fillim si minator i thjeshtë, e më pas si zjarrmëtar e minator. Sot e kësaj dite Eltoni hyn në minierë në orën 6 të mëngjesit për të dalë prej andej në orën 14:00.

Jeta e mbarë komunitetit të Bulqizës është e lidhur ngushtë me minierat e kromit. Edhe gjyshi i Eltonit ka punuar për shumë vite në minierë. Për të atin, Lahimin, kontributi i 37 viteve punë nuk mjaftojnë për një pension dinjitoz, prandaj edhe pse pensionist ai vazhdon të punojë në minierë. Eltoni jeton me prindërit, gruan dhe 4 fëmijët e tyre nën një çati.

Guximi që Eltoni ka treguar në punë për të ngritur zërin ndaj eprorëve, përkushtimi dhe gatishmëria për t’u ardhur në ndihmë shokëve të punës sa herë që ata kanë pësuar aksidente e janë gjymtuar brenda në minierë, bënë që ai të zgjidhej njëzëri si kryetari i sindikatës së re e të pavarur, Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Ai ishte edhe i pari i cili mbajti mbi vete pasojat e organizimit sindikal duke u pushuar nga puna, ndjekur më pas nga tre anëtarë të Këshillit Sindikal.

Por Eltoni nuk u tremb – as nga humbja e vendit të punës dhe as nga kërcënimet – nuk rreshti së luftuari për të drejtat e shokëve të tij. Bashkë me të tjerë, ai ndërmori nismën duke shkuar qytet më qytet të Republikës për të mbledhur firma për peticionin që i kërkonte Parlamentit shqiptar miratimin e Statusit të Minatorit, kërkesës shumëvjeçare të minatorëve që siguron shërbimin shëndetësor për minatorët, paga dhe pensione më të larta, si dhe sigurimin e jetës në rast gjymtimesh dhe aksidentesh fatale.

Ashtu edhe siç pritej, institucionet qeveritare i injoruan 10,700 firmat e mbledhura, duke ia kaluar përgjegjësinë njëra-tjetrës. Ishte ky momenti kur shokët e tij minatorë e nxitën Eltonin që të merrte mbi vete barrën e përpjekjes së mundimshme për ta çuar zërin e tyre në Parlament. Për të mos pritur nga “përfaqësuesit e popullit” – atyre që majmen me punën dhe mundin e njerëzve të punës – por për të bërë të mundur që zëri i popullit të kumbojë i qartë dhe i drejtpërdrejtë në zemrën e kryeqytetit.

Eltoni do jetë zëri i vetëm që do kërkojë llogari nga foltorja e Parlamentit se përse Bulqizës, Klosit, Peshkopisë e Burrelit, që natyra i ka falur burime të panumërta kromi nën tokë dhe toka pjellore, pyje e lumenj mbi tokë, vazhdojnë të jenë qytetet më të varfra të Shqipërisë. Pse ka krom, por nuk ka rrugë, shkolla e spitale? Pse ka lumenj e përrenj, por nuk ka ujë të pijshëm e ujë për vaditje? Pse produktet e bujqve e blektorëve kalben apo shkojnë dëm në fshat?

Eltoni do ndërmarrë nisma ligjore për njohjen e Statusit të Minatorit që nuk është miratuar prej 30 vjetësh; njohjen dhe respektimin e të drejtave sindikale në vendin e punës së gjithë punëtorëve anembanë vendit; rritjen e minimumit jetik të nevojshëm për zonat e varfra e të braktisura të Dibrës.

Eltoni jeton përditë me hallet e popullit. Eltoni është populli. Kjo është përpjekje e përbashkët.

 

International

Biography Program Donate

Na kontakto

Email: eltondebreshi.zyraelektorale@gmail.com

Telefon: 0685670710

Facebook

Instagram

Copyright © Elton Debreshi 2020. Powered by Aktivistët.